Italianët e Milan janë duke shqyrtuar opsionet, për të përforcuar skuadrën me një mesfushor me tipare sulmuese. Trajneri Pioli po kërkon një alternativë bindëse, duke qënë se Brahim Diaz është momentalisht i vetmi lojtar që i ofron siguri trajnerit italian. Por kontrata e Diaz me Milan është e formës së huazimit, dhe kartoni i lojtarit i përket Real Madrid. Kjo do të thotë se Pioli nuk mund të mbështetet plotësisht tek Brahim, pasi e ardhmja e tij mbetet e pasigurtë.

Në të njejtën kohë, largimi i Calhanoglu drejt Inter ka lënë një boshllëk të dukshëm në mesfushën e Milan, dhe për këtë arsye, Maldini dhe Massara po punojnë fort për të sjellë një tjetër "Numër 10" në ekip.

Por cilat janë alternativat?

Gjatë merakatos së verës, u bënë disa tentativa, nga Jesus Corona i Portos, te Romain Faivre i Brest, Hakim Ziyech i Chelsea dhe Aleksey Miranchuk i Atalantës. Asnjë prej opsioneve të përmendura më sipër nuk u konkretizua për shkak të arsyeve financiare. Por këtë merkato janari, Milan e ka vërtet të domosdoshme afrimin e një mesfushori.

Në skenarin e largimit të Castillejo, lojtar ky i cili kërkohet prej kohësh nga Genoa, zëvëndësuesi me potencialin më të lartë për të veshur fanellën "kuqezi" mbetet Faivre, autor i 7 golave ​​dhe 5 asisteve në kampionatin francez. Kontaktet me klubin e tij, Brest janë të shpeshta, dhe agjentët e lojtarit e kanë vendosur Milan në krye të listës.

Një tjetër emër i vlerësuar nga kuqezinjtë është Ziyech, por në këtë front shanset për një marrëveshje janë më të pakta. Marokeni, i cili po lufton për vendin e titullarit tek Chelsea i Thomas Tuchel, është një objektiv gati zyrtar i Borussia Dortmund, të cilët me paratë nga një transferim i mundshëm i Haaland, duan të përfitojnë kartonin e Ziyech, si dhe atë të Adeyemi, lojtar i Salzburg.