Portieri i Real Madrid dhe kombëtares belge, Thibaut Courtois, ka hedhur akuza të forta drejtuar organit më të lartë qeverisës të futbollit, UEFA. Futbollisti ka akuzuar institucionet se janë të interesuara vetëm tek përfitimet financiare, dhe jo te lojtarët, të cilët sipas Courtois, trajtohen si robotë.

Portieri u aktivizua në të dyja ndeshjet që Belgjika luajti në Nations League, përkatësisht përballë Francës dhe Italisë. Kjo gjë duket se ka nxitur reagimin e lojtarit, i cili u shpreh për mediat:

"Duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin, e gjitha kjo bëhet për para. Ne luajmë sepse për UEFA-n përkthehet në përfitim ekstra, pasi është një ndeshje shtesë në televizion. Për ne është diçka e mirë pasi përballë kemi Italinë, dhe e njejta gjë mund të thuhet për ta, por shiko sa zëvëndësime u detyruan të bënin ekipet. Nëse do të luanim dhe finalen, do të kishte lojtarë të tjerë në fushën e lojës."

Eden Hazard dhe Romelu Lukaku ishin dy nga sulmuesit e Belgjikës që mungonin në ndeshjen përballë Italisë. Arsyeja ishin dëmtimet muskulore, nga ndeshja paraardhëse me Francën. Për Courtois kjo është një tjetër këmbanë alarmi:

"Kjo tregon se luajmë shumë ndeshje. Vitin tjetër kemi Kupën e Botës në nëntor. Me shumë mundësi do të duhet të luajmë deri në fund të qershorit përsëri. Do të vuajmë dëmtimet dhe askush nuk do t'ia dijë për lojtarët. Pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm, do të duhet të luajmë përsëri 4 ndeshje në Nations League. Më pas kemi 2 javë pushim, të cilat nuk janë të mjaftueshme që lojtarët të luajnë përsëri, për 12 muaj në nivele të larta."

Ndërkohë e ardhmja pritet të rezervojë ndryshime nga ana e UEFA-s, në skemën e organizimit të kompeticioneve si botërori apo europiani. Gjithsesi, nuk dihet nëse këto ndryshime do të jenë realisht në favor të futbollistëve.