Bomberi i Dortmund, Erling Haaland, duket se do të marrë shumë shpejt vendimin për të ardhmen e tij. Ndërkohë, Barcelona dhe Real Madrid janë ende në garë për shërbimet e sulmuesit, i cili që tani ka krijuar shumë admirues në Spanjë. Por cilat janë kostot totale që Real Madrid apo Barcelona, duhet të paguajnë për shërbimet e norvegjezit?

Spanjollëve u duhen gjithsej 350 milionë euro, për të bërë realitet skenarin Haaland. Këtu përfshihet kostoja për prishjen e klauzolës, e cila është 75 milionë euro, rroga e lojtarit për 6 vite, si dhe komisionet që do të përfitojë agjenti Mino Raiola dhe babai i futbollistit.

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, është i bindur se Haaland nuk do të veshë fanellën e Real Madrid, por financat e katalanasve, nuk i favorizojnë në garën për kartonin e sulmuesit. Real Madrid ndërkohë kërkon jo vetëm Haaland, por dhe Kylian Mbappe. Drejtuesit madrilenë janë të bindur se dyshja e sulmit do të garantonte suksese në të ardhmen, por transferimi i të dyve në të njejtën kohë është një operacion i vështirë.

Në lidhje me Kylian Mbappe, së fundmi po qarkullojnë lajmet se PSG po tenton të negociojë një rinovim kontrate me francezin. Drejtuesit e klubit duan që Mbappe të jetë pjesë e parizienëve dhe për 2 vitet e ardhshme. Kjo gjë nuk i ka shqetësuar drejtuesit e Real Madrid, të cilët besojnë fort tek dëshira e Mbappe për të luajtur në Santiago Bernabeu.

Momentalisht bisedimet mes lojtarit dhe Real Madrid janë ndalur, për shkak të përballjes që po afron mes tyre dhe PSG, në Champions League. Pavarësisht të gjithave, merkatoja aktuale nuk pritet të prodhojë lajme "big" përsa i përket Mbappe dhe Haaland, të cilët sipas të gjitha gjasave do të presin verën për të bërë realitet një lëvizje të madhe.