Kombëtarja italiane arriti t'i rezistojë presionit të Belgjikës, duke fituar 2-1, përballjen e vlefshme për vendin e tretë në finalet e Nations League.

Ishte Nicolo Barella që zhbllokoi rezultatin për italianët, me një goditje të bukur në ajër, vetëm 1 minutë pas fillimit të pjesës së dytë. 20 minuta më pas, Domenico Berardi konvertoi në gol një penallti të fituar, duke i dhënë kështu avantazhin e dyfishtë Italisë. Takimi po shkonte më së miri për këta të fundit, por në minutat finale të pjesës së dytë, belgët vunë në vështirësi serioze mbrojtjen e ekipit të Mancinit.

Në minutën e 86', Charles de Ketelaere shënoi për Belgjikën duke shkurtuar diferencën e golave në vetëm 1. Përpara këtij realizimi, belgët goditën 3 herë shtyllën, por fati nuk ishte me ta në këtë takim.

Pas golit të Charles de Ketelaere belgët filluan të shtynin akoma dhe fort drejt mbrojtjes italiane. Gjithsesi minutat ishin shumë të pakëta, dhe italianët ia dolën të mbronin avantazhin, duke siguruar "medaljen e bronxit" në kompeticionin e ri të FIFA.

Kampionët e Europës rikthehen kështu fuqishëm te fitorja, pas humbjes ndaj Spanjës. Kjo disfatë i dha fund 37 ndeshjeve rresht pa humbje të italianëve, një rekord i jashtëzakonshëm. Trajneri Mancini u shpreh mjaft i kënaqur me performancën e ekipit të tij:

"Sot luajtëm shumë mirë, ishim ekselentë. Kishim lojtarë të tjerë në mesfushë, sot ata ia dolën shumë mirë."

Gjithsesi, italianët kishin avantazhin e fushës në këtë sfidë, pasi përballja luhej në Torino, saktësisht në Juventus Stadium. Gjithashtu, është e rëndësishme të nënvizohet fakti që Belgjika nuk kishte në fushë 2 nga lojtarët më të rëndësishëm të përfaqësueses, Eden Hazard dhe Romelu Lukaku.

Pavarësisht kësaj, Italia u shfaq mjaft solide në mbrojtje dhe creative në sulm, duke treguar dhe një herë potencialin e saj dhe duke i dhënë një mesazh të qartë kundërshtarëve.